Strategu amerikan Chris LaCivita: Ngjashmëri mes përndjekjes ndaj Trump dhe Berishës – Rama nuk mbron dot ekonominë

Strategu amerikan i fushatave elektorale të Republikanëve në SHBA, Chris LaCivita, i cili është edhe drejtues i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ka bërë një paralelizëm të fortë politik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Gjatë një takimi me të rinjtë e FRPD-së, ai deklaroi se ekzistojnë ngjashmëri të mëdha mes asaj që, sipas tij, ka bërë presidenti Biden ndaj Donald Trump dhe asaj që po bën Edi Rama ndaj Sali Berishës.
“LaCivita theksoi se përndjekja politike e kundërshtarëve ndodh në të dyja vendet për të njëjtën arsye: sepse nuk janë në gjendje të mbrojnë bilancin e tyre apo të gjendjen ekonomike.”
“Mjafton të themi që ekziston një kuptim i qartë i situatës politike dhe korrupsionit që ekziston këtu,” tha ai, duke shtuar se bastisja e shtëpisë së Trump dhe përpjekjet për ta futur në burg janë të paprecedenta dhe të krahasueshme me veprimet ndaj opozitës në Shqipëri.
Pavarësisht se sqaroi se nuk flet në emër të qeverisë amerikane, LaCivita theksoi se ka njohuri të thella për realitetin politik në Shqipëri për shkak të përfshirjes së tij në fushatë.
Në përmbyllje, ai u shpreh i impresionuar nga angazhimi i të rinjve demokratë:
“Mendoj se keni shumë për të ofruar dhe e ardhmja duket shumë premtuese. Anglishtja juaj është thjesht e mrekullueshme. Përgëzime të gjithëve!” – u shpreh LaCivita.
Në një kohë kur fushata për zgjedhjet parlamentare po intensifikohet, deklaratat e strategut amerikan pritet të kenë ndikim të ndjeshëm në debatin politik.