Shqiptarët shpenzojnë më pak për veshje: Rritet interesi për të përdorurat

Shqiptarët janë treguar gjithnjë e më racionalë në lidhje me shpenzimet për veshje, sidomos në dekadën e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, shpenzimet për veshje kanë pasur rritjen më të ulët në vlerë krahasuar me 12 grupet kryesore të konsumit gjatë periudhës 1995-2023.
Në vitin 1995, familjet shqiptare shpenzuan rreth 11.2 miliardë lekë në vit për veshje, ndërsa në vitin 2023 kjo shifër arriti mbi 43 miliardë lekë. Megjithatë, pa efektin e inflacionit, rritja reale ishte vetëm 285% në 26 vite, një ritëm më i ulët krahasuar me grupet e tjera të konsumit.
Një rritje e ndjeshme në këtë kategori u vu re vetëm gjatë viteve 2007-2008, por më pas trendi u stabilizua, veçanërisht kur merret parasysh ndikimi i inflacionit. Ndryshimet demografike gjithashtu kanë ndikuar në uljen e shpenzimeve për veshje: rënia e popullsisë së re, veçanërisht e fëmijëve, që janë konsumatorë të mëdhenj të veshjeve, ka pasur ndikim negativ, ndërkohë që rritja e popullsisë në moshë pensioni ka rritur kërkesën për medikamente dhe jo për veshje.
Inflacioni i lartë në dy vitet e fundit ka sjellë një zhvendosje të qartë në sjelljen e konsumatorëve. Shqiptarët po kufizojnë blerjet e reja dhe po i drejtohen veshjeve të përdorura. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, në vitin 2024 importet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 8.6%, ndërsa importet e veshjeve të përdorura u rritën me 4.7%. Ky është viti i dytë radhazi me rënie të importeve të veshjeve dhe këpucëve, pas një tkurrjeje prej 4.2% në vitin 2023.
Ndërkohë, tregu i veshjeve të përdorura po njeh rritje të qëndrueshme, duke arritur një vlerë prej mbi 38 milionë euro në vitin 2024.
Sipas Barometrit të Ballkanit, një anketë e zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, shqetësimi kryesor i shqiptarëve për vitin 2024 ishte inflacioni i lartë. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, çmimet në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore, dhe qytetarët u detyruan të shkurtojnë shpenzimet për kategori si veshje dhe këpucë – një trend i ngjashëm me atë të vendeve të tjera të Europës.