
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, Belind Këlliçi, ka qenë i ashpër ndaj akuzave të fundit politike dhe i ka bërë thirrje publike SPAK-ut, për të ndërhyrë kundër shkeljeve të rënda që, sipas tij, po dëmtojnë rëndë procesin zgjedhor në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi hodhi akuza në adresë të Partinë Socialiste për blerje dhe manipulim votash, në bashkëpunim me grupe kriminale dhe përfaqësues të biznesit klientelist.
I ashpër në reagim, Këlliçi ishte edhe ndaj kryeministrit Edi Rama për gjuhë denigruese dhe intimidim të votuesve.
Statusi
Sot kreu i grupit të strukturuar rilindas paska sulmuar Partinë Demokratike, duke e portretizuar atë si blerëse të votave dhe problem për demokracinë.
Është karakteristikë e autokratëve ta gjejnë problemin tek opozita dhe të përpiqen ta zhbëjnë atë. Kjo shkon në linjë edhe me thirrjen e tij kriminale antidemokratike ndaj elektoratit për ta intimiduar të votojë.
Edi Rama është arkitekti i rrënimit të nivelit të diskutimit demokratik në vend.
Thirrjeve të kryetarit të PD-së Sali Berisha për debat ai iu përgjigjet me tallavanë e zhabave, bufave dhe zhapikëve. Rama ka ndërtuar një Big Brother të madh politik, ku procedura ligjore e parlamentare është shndërruar në një spektakël fyes, me zarfa të zinj për bashkëpunëtorët e ngushtë dhe survejim patronazhist total të qytetarëve.
Gjuha e tij bullizuese, fyese, në kufijtë e çmendurisë, është tashmë proverbiale, duke tejkaluar madje dhe kufijtë e Shqipërisë.
Së fundmi, Partia Demokratike i drejtohet institucioneve, posaçërisht SPAK-ut, të reagojë ndaj shkeljeve të rënda ligjore që prishin garën elektorale.
Të tilla janë të faktuara, qoftë edhe në faqen time në Facebook.
Partia Socialiste e ka shndërruar blerjen dhe manipulimin e votës në institucion, me bashkëpunimin e biznesmenëve parazitë dhe bandave kriminale në Elbasan, në Durrës, në të gjithë Shqipërinë.
