Sport

Kupa e Botës, Telekomi: Jemi të obliguar me kontratë që vetëm 64 ndeshje të transmetohen nga RTK

Telekomi i Kosovës ka thënë se është e obliguar me kontratën që ka lidhur me zotëruesin e të drejtave të transmetimit të Kupës së Botës për territorin e Kosovës, për transmetimin e një pjese të ndeshjeve në Transmetuesin Publik.

Ndërmarrja publike që siguroi të drejtat e transmetimit të Kupës së Botës 2026 në territorin e Kosovës, i fitoi këto të drejta nga një marrëveshje me kompaninë nga Shqipëria, Dividend Sh.P.K.

Kontrata vlen 1.1 milion euro.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin, Telekomi tha se kontrata e obligon ndërmarrjen që 40 ndeshje të transmetohen ekskluzivisht vetëm në kanalet e TV Vala.

“Në bazë të kontratës për blerjen e këtyre të drejtave, Telekomi i Kosovës ka pasur obligim që nga gjithsej 104 ndeshje, 64 prej tyre të transmetohen përmes një transmetuesi publik, ndërsa 40 ndeshje të transmetohen ekskluzivisht në kanalet sportive të Telekomit të Kosovës. Në përputhje me këtë obligim kontraktual, Telekomi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), me qëllim që kjo ngjarje e rëndësishme sportive të jetë e qasshme për publikun sa më të gjerë”, tha Telekomi.

Një zëdhënës i Telekomit, duke u përgjigjur në interesimin e Paparacit rreth të drejtave të transmetimit të Botërorit, tha se ndërmarrja u ka ofruar qytetarëve mundësinë e ndjekjes së Kupës së Botës kundrejt “një pagese simbolike”.

“Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi të ndjekin 64 ndeshje përmes transmetuesit publik, ndërsa për 40 ndeshjet ekskluzive, Telekomi kundrejt një pagese simbolike, ka krijuar mundësi të thjeshtë qasjeje online për të gjithë të interesuarit, pavarësisht operatorit nga i cili marrin shërbimet e internetit”, tha Telekomi.

Pagesa për paketën e Botërorit në TV Vala vlen 20 euro.

“Mjafton qasja ne internet dhe ata mund ta shohin botërorin. Interesimi për pakon e dedikuar të Kupës së Botës është në rritje”, tha Telekomi në përgjigje.

Ndryshe nga vendet e rajonit dhe disa vende të Evropës, Kosova po rezulton të jetë ndër të paktat vende ku një pjesë e konsiderueshme e ndeshjeve të Botërorit nuk do të transmetohen tërësisht në transmetues publik dhe pa pagesë.

Në Mal të Zi, për shembull, të gjitha ndeshjet transmetohen falas në kanalin e dytë të Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG 2). Njëjtë edhe në Greqi, vend anëtar i Bashkimit Evropian, ku transmetuesi publik ERT publikon të gjitha ndeshjet e Botërorit.

Në Shqipëri, ndeshjet transmetohen përmes televizionit me frekuencë kombëtare, TV Klan, duke siguruar qasje të gjerë për publikun. Në Britani të Madhe, BBC dhe ITV — si transmetues publikë dhe kombëtarë — garantojnë transmetimin e Kupës së Botës pa pagesë për qytetarët. BBC ofron qasje falas në ndeshjet e Botërorit edhe përmes aplikacionit online iPlayer.

Në Kosovë, ndërkohë, modeli i zgjedhur kufizon qasjen e qytetarëve, jo vetëm për shkak të pagesës, por sidomos për shkak të një platforme që varet nga kushte teknike dhe pajisje të caktuara.

TV Vala e ofron pakon e saj të Botërorit kryesisht përmes aplikacionit në Smart TV, por jo të gjitha pajisjet janë të përputhshme me të. Modelet më të vjetra nuk e mbështesin aplikacionin, sipas një sqarimi që figuron në uebsajtin zyrtar të Telekomit të Kosovës.

Aty thuhet se aplikacioni i TV Vala përkrahet nga modelet e pajisjeve televizive (Samsung dhe LG) më të reja sesa viti 2019.

Ndarja e ndeshjeve të Kupës së Botës sipas transmetimeve – RTK 64, Vala 40

Faza e parë me 72 ndeshje në total: 47 lojë RTK, 25 TV Vala

Raundi i 1/32-ave: Tetë lojë transmetohen nga RTK, Tetë nga TV Vala

Raundi i 1/16-ave: Katër transmetohen nga RTK, katër nga TV Vala.

Çerekfinalet: Dy transmetohen nga RTK, dy nga TV Vala.

Gjysmëfinalja: Një ndeshje RTK, një ndeshje TV Vala

Pllej of për vendin e tretë: TV Vala

Finalja: RTK/ TV Vala

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button