Lajme

Muçollari në “Myslym Shyr”: Pensionet do rriten deri në 20%, paga minimale 500 euro

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Grigels Muçollari, ka zhvilluar takime me banorët në lagjet përreth zonës së “Myslym Shyrit”, ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me çmimet e larta dhe të ardhurat e ulëta.

Pensionistët janë shprehur se me pensione që mezi arrijnë në 200 mijë lekë të vjetra, nuk përballojnë më dot jetesën, pasi çmimet e produkteve bazë janë dyfishuar ndërsa të ardhurat kanë mbetur të pandryshuara.

Muçollari ka prezantuar pikat kryesore të programit ekonomik të PD-së, duke theksuar se ai synon të sjellë një ndryshim të thellë në jetën e qytetarëve. Sipas tij, vendosja e minimumit jetik në 200 euro dhe rritja e pensioneve deri në 20% do t’i ndihmojë pensionistët të përballojnë më lehtë shpenzimet.

Një tjetër masë e parashikuar është rimbursimi i plotë i TVSH-së për produktet e shportës për shtresat në nevojë, që sipas Muçollarit ka vlerën e dy pensioneve në vit për një pensionist.

Ai kritikoi gjithashtu investimet në fasada dhe kulla, duke thënë se nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies së banorëve. Sipas tij, ekonomia është përkeqësuar vit pas viti dhe është koha për një kthesë të madhe.

Muçollari premtoi edhe vendosjen e pagës minimale në 500 euro dhe uljen e çmimit të energjisë, si pjesë e programit të PD-së për një jetë më të mirë për qytetarët. Ai theksoi se platforma ekonomike e Partisë Demokratike është pritur pozitivisht në çdo lagje të kryeqytetit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button