Promovimi i Euro U-17 në Shqipëri nis nga Durrësi, Duka: Historike për ne

Në kuadër të fushatës promovuese për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”, Federata e Futbollit organizoi pasditen e sotme në Durrës një event festiv, që mblodhi fëmijë dhe banorë të këtij qyteti.
Aktiviteti që u mbajt në sheshin përpara Pallatit të Kulturës kishte në qendër promovimin e këtij eventi historik për vendin tonë si edhe përfshirjen e komunitetit të Durrësit në këtë ngjarje të madhe sportive që do të zhvillohet nga 19 maji deri më 1 qershor në Shqipëri.
Në këtë aktivitet morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, ambasadori i turneut Klaus Gjasula si edhe anëtarë të KE-së së FSHF-së dhe përfaqësues të SHRF Durrës.
Presidenti Duka foli për këtë event madhor që do të zhvillohet në vendin tonë, duke e konsideruar si një moment historik për Shqipërinë. Kreu i FSHF-së ftoi të gjithë qytetarët e Durrësit të mbështesin ekipin tonë kombëtar në këtë kampionat si edhe të mirëpresin 7 ekipet e tjera finaliste. Presidenti Duka u shpreh besimplotë që të gjithë shqiptarët do ta kthejnë këtë event në një festë sportive.
“Vetëm një muaj më vonë 7 ekipet më të mira të Europës do t’i bashkohen skuadrës tonë kombëtare për të zhvilluar këtë kompeticion të rëndësishëm Europian që ndodh për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Jemi krenarë që kemi mundësinë të presim një event të tillë. Jam shumë i bindur që me mbështetjen tuaj, me mbështetjen e shumë faktorëve në vend ne do të bëjmë një kampionat model. Ne do ta kthejmë atë në një festë jo vetëm sportive, por më shumë se sportive.
Duke qenë nga Durrësi, jam shumë i lumtur që e hapim sot promovimin e Europianit në qytetin tim dhe jam i bindur që Durrësi do të dijë ta bëjë si tri qytetet e tjera mikpritjen e ekipeve, mbështetjen e tyre me praninë e të gjithë juve dhe më shumë se ju në shkallët e stadiumit për ta bërë vërtetë një festë. Tashmë çdo gjë është gati, katër stadiumet ku do luhen ndeshjet janë gati, 10 fusha të rikonstruktuara me kontributin e qeverisë shqiptare dhe FSHF-së janë gati. Të gjithë bashkë ta mbështesim këtë Europian dhe ta përjetojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju ftoj të gjithëve ta ndiqni këtë Europian në stadium”.
Durrësi është një nga qytetet pritëse të Kampionatit Europian U-17, teksa në stadiumin “Niko Dovana” do të luhen disa nga ndeshjet finale të këtij edicioni. Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, në fjalën e tij vlerësoi kontributin e Presidentit Duka në organizimin e Kampionatit Europian U-17 në vendin tonë dhe shtoi se qytetit të Durrësit do t’i sjellë gjallëri, turizëm dhe jetë. “I nderuar President i FSHF-së, Armand Duka, është një nder e krenari dhe besoj që është gjithë kontributi dhe puna juaj e palodhshme që në Shqipëri vjen një Kampionat Europian për të rinjtë.
Besoj se përgatitja, sidomos për qytetin e Durrësit, është në nivelin më të lartë. Mbështetja jonë vjen pas mbështetjes tuaj në organizimin tuaj kaq ambicioz. Qytetit të Durrësit do t’i sjellë gjallëri, turizëm, jetë dhe besoj se të gjithë së bashku do të shijojmë mrekullinë dhe sportin më të bukur që është futbolli”, – tha Zv. Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.
Ambasadori i turneut, Klaus Gjasula përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i ftoi të mbështesin ekipin tonë kombëtar në këtë kompeticion europian.
“Është një grup i vështirë, janë ekipe të forta. Ne do të shijojmë momentin, do të kemi mundësinë të tregojmë se kush jemi ne. Do t’i tregojmë botës dhe mbështetjen e tifozëve, do t’i përkrahim çunat dhe do të kemi vetëbesim”.