Sport

Shqipëria më pranë se kurrë Botërorit — Manaj e Asani, dy heronjtë e kuqezinjve drejt “Play Off”-it

Shqipëria është më afër se kurrë me ëndrrën e madhe të Kupës së Botës. Kuqezinjtë kanë shanset reale për të siguruar një vend në “Play Off”, dhe për ta bërë këtë duhet fillimisht të fitojnë në transfertë ndaj Andorrës, përpara se të presin rezultatin e Serbisë.

Aktualisht, skuadra e Silvinjos ndodhet një pikë përpara serbëve, me dy ndeshje të mbetura për secilën kombëtare. Kuqezinjtë do të përballen me Andorrën dhe më pas me Anglinë, ndërsa Serbia do të luajë ndaj Anglisë dhe Letonisë. Një fitore ndaj Andorrës është detyrim për Shqipërinë, ndërsa pritet që Anglia të ndihmojë kuqezinjtë me një fitore ndaj Serbisë në Londër. Një skenar i tillë do ta siguronte vendin e dytë në grupin K dhe do të mbante gjallë ëndrrën e Botërorit.

Ashtu si në kualifikueset e Europianit, edhe këtë herë Shqipëria ka gjetur lojtarë që kanë bërë diferencën. Në Europian ishte Jasir Asani ai që shkëlqeu me golat e tij, ndërsa tani protagonisti është Rei Manaj, i cili po e mban skuadrën me shpresë drejt Botërorit.

Asani – frymëzimi i Europianit
Sulmuesi nga Shkupi u grumbullua për herë të parë nga trajneri Silvinjo dhe menjëherë shpërbleu besimin e tij. Ai la gjurmë që në debutim kundër Polonisë dhe më pas shpërtheu me një supergol ndaj Andorrës në “Air Albania”. Golat e tij ndaj Polonisë dhe Çekisë u kthyen në momente historike, duke i dhënë Shqipërisë kualifikimin e dytë në histori për në Europian.
Asani ka shënuar gjithsej 6 gola me fanellën kuqezi, përfshirë miqësoret dhe Ligën e Kombeve — dhe në çdo ndeshje ku ka gjetur rrugën e rrjetës, Shqipëria ka fituar. Një statistikë që tregon peshën e madhe të tij në suksesin e skuadrës.

Manaj – heroi i kualifikueseve të Botërorit
Në këto kualifikuese, protagonizmin e ka marrë Rei Manaj. Sulmuesi lushnjar ka realizuar 3 gola në 6 ndeshjet e zhvilluara, përfshirë dygolëshin ndaj Andorrës dhe golin vendimtar në Leskovc kundër Serbisë, që mund të rezultojë përcaktues për kualifikimin.
Edhe pse humbi një penallti të rëndësishme në Tiranë ndaj Serbisë, Manaj e ka shlyer atë gabim në mënyrën më të mirë të mundshme — me një gol të artë jashtë fushe, që e mban Shqipërinë në garë për “Play Off”.

Me dy ndeshje të mbetura, kundër Andorrës dhe Anglisë, kuqezinjtë e Silvinjos duhet të jenë në formën më të mirë të mundshme. Tani më shumë se kurrë, fati i Shqipërisë në rrugën drejt Kupës së Botës varet nga dyshja e golave — Rei Manaj dhe Jasir Asani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button