KFOR jep detaje për takimin mes komandantit Ulutaş dhe presidentit Begaj në Tiranë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur detaje nga takimi që komandanti i tij, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, zhvilloi dje në Tiranë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtnant Arben Kingji.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Gjeneralmajor Ulutaş ka rikonfirmuar angazhimin e misionit për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të mbështetur dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“KFOR mbetet i përkushtuar ndaj mandatit të tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.
Ulutaş vlerësoi gjithashtu kontributet afatgjata të Shqipërisë në kuadër të KFOR-it dhe profesionalizmin e treguar nga personeli shqiptar në mbështetje të aktiviteteve të përditshme të misionit.
Në fund, KFOR theksoi se vijon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse si institucione të reagimit të sigurisë.



