Sport

Skandal në basketbollin maqedonas: Federata pezullon klubin shqiptar KB “Shkupi” nga të gjitha garat

Një skandal i rëndë ka tronditur basketbollin në Maqedoninë e Veriut, pasi Federata e Basketbollit ka marrë vendim të pezullojë nga të gjitha ligat klubin shqiptar KB “Shkupi”, raporton koha.mk.

Sipas njoftimit të klubit, arsyeja zyrtare për këtë vendim është borxhi financiar në vlerë prej 590.000 denarësh, të cilin klubi nuk ka arritur ta shlyejë me kohë. Megjithatë, drejtuesit e KB “Shkupi” theksojnë se situata është pasojë e mosmarrjes së fondeve të premtuara nga Ministria e Sportit, të cilat do të duhej të mbulonin këto detyrime financiare.

Ajo që ka ndezur reagime të forta në opinion është fakti se për pezullimin e klubit ka votuar edhe një anëtar shqiptar i bordit të Federatës, gjë që ka ngritur pikëpyetje serioze për mbrojtjen e interesave të sportit shqiptar në vend dhe për respektin ndaj një klubi me traditë të gjatë në basketbollin e Shkupit.

Me këtë vendim, KB “Shkupi” përjashtohet nga të gjitha aktivitetet zyrtare të Federatës, duke rrezikuar të shkaktojë pasoja të mëdha për lojtarët, trajnerët dhe gjithë komunitetin sportiv shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ky zhvillim ka sjellë reagime të ashpra nga opinioni publik, i cili kërkon rishikimin urgjent të vendimit dhe ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për të shmangur, siç thuhet, “një dëm të pariparueshëm për sportin shqiptar në vend”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button