Kosova

Gjykata Supreme kthen në rivendosje ankesën e AAK-së për zgjedhjet në Junik

Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar si të bazuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhur me rezultatet e zgjedhjeve komunale në Junik dhe e ka kthyer çështjen për rivendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në vendimin e saj, Supremja ka prishur aktvendimin e 15 tetorit të PZAP-it, i cili e kishte hedhur si të palejuar ankesën e AAK-së, duke vlerësuar se ajo duhej të trajtohej në bazë të meritave.

“Gjykata Supreme e Kosovës, pasi e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e bazuar”, thuhet në vendim.

Sipas Supremes, PZAP-i është dashur të shqyrtojë ankesën e AAK-së në mënyrë të plotë, duke marrë parasysh pretendimet për shkelje ligjore gjatë procesit zgjedhor. Tani, PZAP është udhëzuar që në rivendosje të evitojë shkeljet e evidentuara dhe të vendosë në mënyrë meritore për ankesën e Aleancës.

AAK-ja kishte kërkuar që zgjedhjet në Komunën e Junikut të shpallen të paligjshme dhe të organizohet rivotim, duke pretenduar për “parregullsi dhe manipulime që kanë cenuar rëndë integritetin e procesit dhe vullnetin e qytetarëve”.

Sipas partisë, në zgjedhjet e 12 tetorit kanë votuar edhe persona nga komuna të tjera dhe është përdorur një “skemë kriminale” me mbiemra që, siç thotë AAK, nuk kanë ekzistuar më herët në Junik.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu, ka marrë 48.89% të votave, ndërsa kandidati i AAK-së, Agron Kuçi, 38.88%.

Gjykata Supreme ka kërkuar nga PZAP që në vendimin e ri të sigurohet zbatimi i plotë i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe i Rregullores Nr. 01/2025, duke nxjerrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button