Altin Dumani ngre shqetësimet për dosjet e mbartura dhe vonesat në sistemin gjyqësor

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka ngritur disa problematika që po ndikojnë në efikasitetin e punës së SPAK, duke theksuar veçanërisht çështjen e dosjeve të mbartura dhe vonesat në procedurat gjyqësore.
Në një deklaratë për mediat, Dumani tha se shqyrtimi i dosjeve në seancat paraprake po zgjat më shumë se afati ligjor njëmujor i parashikuar në Kodin e Procedurës Penale, duke krijuar vështirësi në respektimin e afateve të paraburgimit. Ai shtoi se edhe gjykimi i shkurtuar, i cili dikur ndihmonte në përshpejtimin e proceseve, tashmë kërkon më shumë kohë, duke ndikuar në zvarritjen e trajtimit të çështjeve.
“Hetimet për çështjet e mbartura kërkojnë kohë. Sidomos ato që varen nga bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore të huaja, mund të zgjasin edhe mbi pesë vite. Ekzekutimi i letër-porosive është një tjetër faktor që shton vonesat. Nuk flas vetëm për krimin e organizuar, por edhe për raste që lidhen me korrupsionin,” u shpreh Dumani.
Ai gjithashtu ka rikujtuar domosdoshmërinë për rishikimin e kufirit monetar për çështjet e korrupsionit që janë në kompetencën e SPAK, duke theksuar se ai duhet të jetë të paktën 500 euro.
“SPAK është krijuar për të ndjekur rastet e korrupsionit madhor,” përfundoi Dumani.