Derbi përfundon pa fitues, Lazio dhe Roma më larg pjesëmarrjes në Champions

Derbi i zjarrtë i kryeqytetit italian mes Lazios dhe Romës, i vlefshëm për javën e 32-të të Serisë A, përfundoi në barazim 1-1 në “Stadio Olimpico”, në një përballje me shumë emocione, por që nuk u shërbeu shumë objektivave të skuadrave në garën për zonën Champions.
Skuadra e drejtuar nga Marco Baroni e nisi më mirë sfidën, duke dominuar pjesën e parë dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme. Romagnoli dhe dy herë Isaksen rrezikuan seriozisht portën, por u ndalën nga ndërhyrjet vendimtare të portierit Svilar.
Goli i avantazhit për bardhekaltrit erdhi menjëherë në fillim të pjesës së dytë, kur Alessio Romagnoli goditi saktë me kokë, duke mposhtur mbrojtësin Mancini dhe portierin, për të çuar Lazion në epërsi.
Roma reagoi dhe në minutën e 69-të, Matías Soulé, me një goditje të fuqishme nga distanca, dërgoi topin nën traversë, duke barazuar rezultatin dhe ndezur edhe më shumë atmosferën e derbit.
Në minutat e mbetura, ishte sërish Svilar shpëtoi Romën me dy pritje vendimtare ndaj Guendouzi dhe Dia, duke ruajtur barazimin dhe duke i mohuar Lazios një fitore të mundshme.
Barazimi i lë të dyja skuadrat të zhgënjyera në garën për një vend në Champions League, duke humbur terren ndaj konkurrentëve të drejtpërdrejtë. Gjithsesi, emocionet e derbit nuk munguan, edhe një herë kryeqyteti italian tregoi se di të ofrojë spektakël të vërtetë futbolli.