Barcelona përmbys Real Oviedon, Flick lavdëron Araujo-n dhe De Jong-un

Barcelona ka vazhduar ecurinë pozitive në startin e sezonit 2025/26 me një fitore të rëndësishme ndaj Real Oviedos. Katalanasit përmbysën disavantazhin e pjesës së parë për të triumfuar 3-1 të enjten, falë golave të Eric Garcia, Robert Lewandowskit dhe Ronald Araujo-s.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, pas ndeshjes vlerësoi karakterin e skuadrës dhe sidomos kontributin e mbrojtësit uruguaian.
“Nuk ishte një ndeshje e lehtë sepse Oviedo luan me pasime të mira, por ne u mbrojtëm mirë. Jam i kënaqur që Araujo shënoi, sepse kjo i jep më shumë besim. Ai po ecën më mirë se sezonin e kaluar dhe kjo është pozitive për ekipin,” tha Flick për Diario AS.
Tekniku gjerman foli gjithashtu për Frenkie de Jong, i cili u shfaq vendimtar në pjesën e dytë.
“Ai është shumë i rëndësishëm për ne, po ashtu si Pedri. Në pjesën e dytë patëm më shumë kontroll dhe ritëm, gjë që e bëri më të vështirë për Oviedon,” shtoi Flick.
Ndërkohë, portieri Joan Garcia, që gaboi në golin e parë të Oviedos, mori mbështetje nga trajneri.
“Ishte një gabim, por kjo është futbolli. Ai është portier fantastik dhe tregoi karakter duke u rikuperuar më pas,” theksoi Flick.
Në anën tjetër, Raphinha u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një problemi fizik. “Ndjeu diçka në këmbë dhe e zëvendësuam për të mos rrezikuar më tej,” shpjegoi tekniku.
Me këtë fitore, Barcelona forcon startin e saj të mirë në kampionat dhe konfirmon synimet për një sezon konkurrues në të gjitha frontet.



