Kosova

85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal kanë arritur në Kosovë

Në Kosovë kanë arritur 85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat do të shpërndahen nëpër qendrat e vaksinimit në të gjitha komunat e vendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vaksinimi do të nisë nga java e parë e tetorit.

Zyrtarja për informim e MSh-së, Gjylferie Zabeli, tha për Radio Kosovën se vaksinat janë siguruar përmes procedurave të prokurimit dhe janë të markave të njohura ndërkombëtare, duke garantuar cilësi dhe siguri për qytetarët. Ajo shtoi se vaksinat tashmë kanë arritur në depon e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), prej nga do të shpërndahen sipas planit për njësitë e vaksinimit.

Edhe zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva, konfirmoi se shpërndarja do të bëhet brenda ditëve në vijim dhe vaksinimi do të ofrohet çdo ditë pune në qendrat kryesore të mjekësisë familjare.

Mjeku familjar në QKMF-Prishtinë, Valdet Hashani, theksoi rëndësinë e vaksinimit, sidomos për kategoritë më të rrezikuara. “Pleqtë, gratë shtatzëna, fëmijët, personat me sëmundje kronike si diabeti, hipertensioni e sëmundjet kardiake, por edhe punëtorët shëndetësorë duhet patjetër të vaksinohen. Vaksina e ndihmon organizmin ta kalojë më lehtë gripin”, tha ai.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal dhe për të parandaluar komplikimet që mund të shkaktojë ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button