Lajme

Ministria e Arsimit ndalon përdorimin e telefonave në shkolla

Me një udhëzim të ri të publikuar në Fletoren Zyrtare, Ministria e Arsimit ka ndaluar përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera të ndërlidhura në të gjitha shkollat parauniversitare të vendit, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.

Sipas rregullit, nxënësit duhet t’i dorëzojnë telefonat në kutitë e posaçme në klasë në fillim të orës dhe t’i mbajnë të fikur ose në modalitetin “Airplane” deri në fund të mësimit. Edhe mësuesit nuk lejohen të përdorin telefonin gjatë procesit mësimor, përveç rasteve urgjente apo arsyeve pedagogjike të miratuara nga drejtoria.

Në rast shkeljeje, pajisja merret nga mësuesi dhe dorëzohet në drejtori. Prindi njoftohet menjëherë dhe duhet të paraqitet në shkollë për tërheqjen e saj. Në rast përsëritjeje, parashikohen masa disiplinore, që variojnë nga këshillimi e deri te aktivitete ndërgjegjësuese për nxënësit, si dhe masa më të rënda për shkollat e mesme.

Prindërit kanë detyrimin të bashkëpunojnë me shkollën, të sigurojnë respektimin e rregullit dhe të informohen rregullisht përmes sistemit digjital SMIP.

Ky udhëzim, sipas Ministrisë së Arsimit, synon përmirësimin e disiplinës, rritjen e përqendrimit në mësim dhe forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë mes nxënësve dhe mësuesve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button