Sondazh i IRI: Kosovarët e shohin SHBA-në si aleatin më të madh, Serbinë si kërcënimin kryesor
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta konsiderojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin më të rëndësishëm të vendit. Sipas një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), 77 për qind e të anketuarve kanë zgjedhur SHBA-në në këtë rol.
Pas SHBA-ve, aleatë të rëndësishëm për kosovarët renditen Shqipëria dhe Gjermania me nga 6 për qind, Turqia me 3 për qind dhe Britania e Madhe me 2 për qind. Ndërkohë, Bashkimi Evropian është përmendur vetëm nga 1 për qind e qytetarëve.
Në anën tjetër, sa i përket kërcënimeve më të mëdha për Kosovën, shumica dërrmuese – 76 për qind – kanë veçuar Serbinë. Rusia shihet si kërcënim nga 16 për qind, ndërsa 1 për qind kanë përmendur BE-në, SHBA-në dhe Shqipërinë.
Sondazhi është realizuar gjatë muajve maj–qershor 2025, me një mostër prej 1,164 të rriturish, prej të cilëve 94 për qind shqiptarë dhe 6 për qind serbë.

Rezultatet konfirmojnë se orientimi gjeopolitik i qytetarëve të Kosovës mbetet fuqishëm pro-perëndimor, ndërsa perceptimi i kërcënimit lidhet kryesisht me marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë.



