FFK i dërgon notë proteste UEFA-s dhe Federatës Spanjolle për fyerjen ndaj Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar zyrtarisht pas veprimit të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), e cila në komunikimet e saj për ndeshjen kualifikuese të Euro 2027 mes Kosovës dhe Spanjës, iu referua shtetit të Kosovës si “territori i Kosovës”.
Përmes një shkrese drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, dhe kreut të RFEF-së, Rafael Louzan, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka paraqitur një notë proteste, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e UEFA-s.
Në letrën e tij, Ademi ka theksuar se kjo qasje e mohon sovranitetin e Kosovës, e cila është shtet i pavarur dhe anëtare e barabartë e UEFA-s. Ai ka rikujtuar se nuk është hera e parë që Federata e Futbollit të Spanjës tregon qëndrim të tillë diskriminues.
“UEFA qëndron mbi vlera si uniteti, respekti dhe barazia ndërmjet të gjithë anëtarëve të saj, prandaj këto parime duhet të respektohen jo vetëm në veprime, por edhe në fjalë nga çdo federatë anëtare,” theksohet në letrën e FFK-së.
Kryetari Ademi ka kërkuar një reagim të qartë dhe të menjëhershëm nga UEFA, si dhe një korrigjim publik nga RFEF-ja, duke e pranuar se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të futbollit evropian.
FFK ka bërë të ditur se pret që ekipi i Kosovës të trajtohet me barazi dhe respekt në të gjitha garat ndërkombëtare, njësoj si çdo federatë tjetër kombëtare në UEFA.