Sport

Kryeredaktori zviceran sjell historinë e Granit Xhakës: Nga lotët në Londër te titulli kampion në Gjermani

Kryeredaktori i “Blue Sport” në Zvicër, Andreas Boni, ka botuar një artikull të gjatë për jetën dhe karrierën e Granit Xhakës, duke sjellë në qendër edhe sakrificat e familjes së tij.

Artikulli nis me një moment të vështirë në vitin 2019, kur Xhaka u përball me ofendime e fishkëllima nga tifozët e Arsenalit, gjë që i kushtoi edhe shiritin e kapitenit. Por, siç kujton Boni, ky ishte vetëm fillimi i një rikthimi madhështor që e çoi mesfushorin kosovar të bëhej lider i Bayer Leverkusen, me të cilin fitoi titullin historik të Bundesligës në vitin 2024.

Në qendër të rrëfimit qëndron familja Xhaka – babai Ragipi, nëna Eli dhe vëllai Taulanti – të cilët për Granitin janë gjithçka. Ragipi, ish-i burgosur politik në Jugosllavi, pas tre vitesh e gjysmë në burg dhe tortura të rënda, u detyrua të arratisej në Zvicër ku ngriti nga e para jetën me familjen.

Vetë Graniti dhe Taulanti e nisën futbollin në parkun e lagjes në Bazel, duke mbajtur gjithmonë të njëjtin numër fanellash – 34 – në kujtim të autobusit me të cilin shkonin në stërvitje. Më vonë, ata u ndanë: Graniti drejt Borussia Mönchengladbach dhe Taulanti te Grasshoppers.

Përtej futbollit, Xhaka ka theksuar vazhdimisht se sakrificat e prindërve kanë qenë motivimi kryesor i tij. “Gjithmonë kemi dashur t’ua kthejmë atyre çdo gjë që kanë bërë për ne”, ka thënë ai.

Sot, Graniti është rekordmen me Kombëtaren e Zvicrës, një emër i madh i Arsenalit dhe tashmë lider i Leverkusenit. Ai mendon për të ardhmen si trajner, ndërsa krenaria e prindërve mbetet arritja më e madhe e tij.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button