Serbia zgjat paraburgimin për ish-policin kosovar Arbnor Spahiu

Serbia ka caktuar edhe tre muaj paraburgim për ish-policin e Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiun, i cili po mbahet nën akuzat për “vrasje të rëndë” lidhur me rastin e Banjskës në shtator të vitit 2023.
Bashkëshortja e tij, Arieta Spahiu, e cila e vizitoi së fundmi, tha në emisionin Radar në Radio Dukagjini se gjendja e tij psikike në fillim ishte e rënduar, pasi ishte përballur me presione për të pranuar diçka që sipas saj nuk e kishte bërë.
Ajo theksoi se ka kontaktuar me institucionet më të larta të vendit, përfshirë presidenten, kryeministrin dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Na kanë ndihmuar vetëm Policia, populli dhe familjarët”, tha Arieta Spahiu.
Familja përveç tensionit që ka shkaktuar procesi, po përballet edhe me vështirësi financiare për shkak të shpenzimeve të larta gjyqësore. Ata kanë bërë apel për ndihmë publike në këtë betejë për drejtësi.
➡️ Detajet e llogarisë për ndihmë financiare:
IBAN: XK051507011002518930
Emri: Arieta Spahiu (bashkëshortja e Arbnorit)
Raiffeisen Bank Kosovo – SWIFT: RBKXKPRXXX
Ndërkohë, avokatët e tij theksojnë se akuzat ndaj Spahiut janë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova konkrete, duke theksuar se ai kishte përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga nëntori i vitit 2021 dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues serbë.