Sport

Barcelona ende në pasiguri për rikthimin në “Spotify Camp Nou”

Barcelona vazhdon të planifikojë rikthimin e shumëpritur në “Spotify Camp Nou” gjatë muajit shtator, por dyshimet për përfundimin në kohë të punimeve po rriten. Klubi katalanas po punon intensivisht për të respektuar afatin, megjithatë janë përgatitur edhe plane alternative në rast se rikthimi nuk realizohet.

Një nga opsionet është kthimi në “Estadi Olímpic Lluís Companys” në Montjuic, por marrëveshja aktuale nuk përfshin ndeshjen e muajit të ardhshëm ndaj Valencias. Situata ndërlikohet edhe më shumë pasi më 12 shtator në të njëjtin stadium do të mbahet një koncert i reperit amerikan Post Malone, vetëm disa orë para ndeshjes së planifikuar. Nuk ka garanci që Barcelona do të lejohet të luajë aty nëse “Camp Nou” nuk është gati.

Sipas El Desmarque, përmes Marca, një tjetër mundësi që po shqyrtohet është zhvendosja e ndeshjes në “Mestalla”, duke kërkuar miratimin e Valencias dhe të La Ligas. Kjo do të nënkuptonte që përballja e kthimit, e planifikuar si ndeshja e fundit e sezonit 2025/26, të luhej në “Spotify Camp Nou”.

Nëse kjo zgjidhje pranohet, Barcelona do të zhvillonte katër ndeshje radhazi të La Ligas në transfertë, pas sfidave me Mallorcan, Levanten dhe Rayo Vallecanon. Meqë UEFA ka pranuar që edhe ndeshjen e parë të fazës së ligës në Champions ta luajnë jashtë fushe, katalanasit do të përballeshin me pesë transferta rresht në të gjitha kompeticionet.

Pasiguria rreth “Spotify Camp Nou” po mbetet një shqetësim i madh për klubin, jo vetëm sportivisht, por edhe financiarisht, pasi rikthimi në stadiumin e tyre do të sillte të ardhura shumë më të mëdha nga ndeshjet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button