
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kryer një stërvitje të përbashkët me efektivët e Qendrës së Zhytjes së Forcës Detare të Shqipërisë. Ushtrimi u zhvillua në bazën detare të Pashalimanit, në jugperëndim të Gjirit të Vlorës pranë Orikumit.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve për rritjen e kapaciteteve nënujore.
“Efektivët e Qendrës së Zhytjes së Forcës Detare zhvilluan në Pashaliman stërvitjen e përbashkët me kolegët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Një traditë e qëndrueshme që garanton operacionalitet, ndërveprim dhe rritje të kapaciteteve për misionet nënujore”, u shpreh Vengu.
Këto stërvitje përbëjnë një hap tjetër në forcimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.