Drita synon historinë në “play-off” të Ligës së Konferencës

Drita do të zbresë sonte në fushë për ta zhvilluar ndeshjen e parë të fazës së “play-off”-it në Ligën e Konferencës. Gjilanasit do ta presin skuadrën Differdange nga Luksemburgu, në duelin që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.
Kampionia e Kosovës llogarit në përkrahjen e madhe të tifozëve, për të krijuar një epërsi të favorshme para ndeshjes së kthimit që do të luhet pas një jave në Luksemburg.
Kjo nuk është hera e parë që Drita përballet me Differdangen. Në muajin e kaluar, skuadra e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani e kishte eliminuar kundërshtarin nga Liga e Kampionëve, pas fitores 1:0 në Kosovë dhe 3:2 në Luksemburg.
Gjilanasit synojnë ta përsërisin suksesin dhe ta shkruajnë historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës – një arritje që në vitet e fundit e kishte siguruar vetëm Ballkani nën drejtimin e Ilir Dajës.
Pas eliminimeve nga Copenhagen në Ligën e Kampionëve dhe nga FCSB në Ligën e Evropës, Drita po synon që këtë herë ta arrijë suksesin e madh në garën e tretë më të rëndësishme të futbollit evropian.
Drita – Differdange, ora 20:00, stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë.