Bota

Trump pretendon se ka ndalur luftëra, përfshirë Kosovën dhe Serbinë – BBC: “Nuk kishte luftë për t’u përfunduar”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë fundin e luftës Rusi-Ukrainë, ka theksuar së fundmi rolin e tij në negociatat e paqes gjatë mandatit të tij të dytë.

Duke folur më 18 gusht në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaroi se kishte “ndalur gjashtë luftëra”, ndërsa një ditë më vonë numri i tyre u rrit në “shtatë”. Administrata e tij e ka cilësuar Trumpin si “krye-paqebërës” dhe ka thënë se një Çmim Nobel për Paqe është “prej kohësh i vonuar” për të.

BBC Verify ka analizuar pretendimet e tij, duke shqyrtuar konfliktet që Trump pretendon se ka ndërprerë, mes tyre edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Trump tha se më 27 qershor kishte parandaluar shpërthimin e armiqësive mes dy vendeve, duke pohuar: “Serbia, Kosova ishin duke u nisur kundër njëra-tjetrës, do të bëhej një luftë e madhe. Unë thashë, nëse nisesh, nuk ka tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë, mirë, ndoshta nuk do të shkojmë aty.”

Megjithatë, ekspertët e kanë kundërshtuar këtë version. Margaret MacMillan, profesoreshë e historisë në Universitetin e Oxfordit, tha për BBC se “Serbia dhe Kosova nuk kanë qenë duke luftuar apo qëlluar kundër njëra-tjetrës, kështu që nuk është luftë për t’u përfunduar.”

Shtëpia e Bardhë i ka kujtuar BBC-së përpjekjet diplomatike të Trump gjatë mandatit të tij të parë, përfshirë marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Zyrën Ovale në vitin 2020. Por analistët theksojnë se atëherë dy vendet nuk ishin në luftë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button