Sport

Edon Zhegrova pranë Juventusit: Ylli kosovar mund të transferohet në Torino

Futbollisti kosovar, Edon Zhegrova, duket se po afrohet drejt futbollit italian. Sipas mediumit italian Tuttosport, i afërt me Juventusin, 26-vjeçari ka arritur marrëveshje personale me “Zonjën e Vjetër”, duke u pajtuar për një kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej 2,5 milionë eurosh.

Tani mbetet që Juventus të gjejë gjuhën e përbashkët me klubin e Zhegrovës, Lille, i cili kërkon 25 milionë euro për kartonin e tij. Italianët kanë propozuar 20 milionë euro, duke pasur parasysh se kontrata e lojtarit me francezët skadon vitin e ardhshëm.

Zhegrova kishte paralajmëruar që nuk do ta rinovonte kontratën dhe drejtuesit e Lille synojnë ta shesin këtë verë, për të mos e humbur pa pagesë vitin e ardhshëm. Juventus synon që ta bashkojë Zhegrovën me sulmuesin Jonathan David, me të cilin kosovari shkëlqeu sezonin e kaluar tek Lille.

Përveç Juventusit, interesim për Zhegrovën ka shfaqur edhe Olympique Marseille, por dëshira e lojtarit është të largohet nga Franca për një hap përpara në karrierë. Një kohë më parë, interesim kishte shfaqur edhe Napoli, por klubi napolitan është tërhequr.

Zhegrova nuk ka luajtur në ndeshje zyrtare që nga dhjetori i vitit të kaluar për shkak të një lëndimi dhe ishte përkohësisht jashtë stërvitjeve të ekipit. Kohët e fundit ai ka rifilluar stërvitjen me Lille, por mendjen e ka të vendosur drejt Italisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button