Veterani i UÇK-së proteston para Kuvendit, akuzon drejtorin e Ibër Lepencit për largim të padrejtë nga puna

Agim Pllashniku, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka protestuar sot para Kuvendit të Kosovës duke akuzuar drejtorin e Ibër Lepencit, Faruk Mujka, për largimin e tij nga puna pa arsye dhe me vendim të shpejt.
Pllashniku tha se pas 15 vjetësh punë në këtë kompani, u është mohuar e drejta për punë nga Mujka. “Hajni në punë, veterani nëpër rrugë. Faruk Mujka para një muaji më ka larguar prej pune. Ai po punon e unë në rrugë. Atij ia kanë nxan 60 mijë euro në jastëk para një viti, tri ditë ka mbajtur burg dhe të hënën është kthyer si drejtor. E mua më ka larguar prej pune, 15 vjet kam punuar në Ibër Lepenc, se kam pasur asnjë vërejtje, me vendim të shpejt si ktyneherë,” tha ai.
Veterani paralajmëroi gjithashtu veprime të mëtejshme nëse situata nuk zgjidhet: “Keni me u befasu se çka kom me qit ditëve në vijim, unë ia dha Faruk Mujkes 1 muaj kohë të më kthej në punë. Nëse nuk më kthen, do t’i qes të gjitha faktet se çka ka bërë në Ibër Lepenc në Mitrovicë. Keni mu trondit edhe ju, kam me ia qit me kafe,” deklaroi Pllashniku para gazetarëve.
Protesta e tij ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe qytetarëve, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet do të ndërhyjnë për të zgjidhur këtë konflikt.