Superliga e Kosovës nis këtë fundjavë, FFK synon rritjen e shikueshmërisë

Sezoni i ri i Superligës së Kosovës në futboll nis këtë fundjavë, më saktësisht ditën e diel. Një ditë para startit, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, bëri një postim në Facebook, ku theksoi synimet e këtij edicioni.
Sipas Ademit, fokusi kryesor do të jetë rritja e shikueshmërisë në stadiume, e cila ka pësuar rënie vitet e fundit. Ai gjithashtu njoftoi fillimin e zbatimit të platformës dixhitale “My FFK”, e cila do t’u mundësojë klubeve, zyrtarëve dhe opinionit të gjerë qasje të plotë në të dhënat e ndeshjeve, duke rritur kështu transparencën dhe nivelin e organizimit të garave.
“Krahas përgatitjeve të klubeve, synim i përbashkët i këtij edicioni duhet të jetë rritja e shikueshmërisë. Futbolli luhet për tifozët, të cilët i japin ngjyrat e spektaklit dhe motivin maksimal futbollistëve”, tha Ademi.
Ai shtoi se rivaliteti i skuadrave tradicionale dhe atyre që duan të bëjnë histori premton një kampionat me emocione të shumta, duke u shpresuar që sezoni i ri të prodhojë futboll cilësor, spektakël dhe lojë të rregullt, me sa më pak lëndime për futbollistët.
Përveç Superligës, rikthehet edhe Raiffeisen Liga e Parë në formatin e saj të një lige unike, duke e bërë kështu edicionin e ri të garave një sfidë të fortë për të gjitha ekipet.