SHBA i dhuron Kosovës 50 automjete të blinduara të sigurisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Kosovës 50 automjete të blinduara të sigurisë (ASV), në kuadër të Programit “Excess Defense Article”, duke theksuar angazhimin e përbashkët për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se këto automjete do të bëhen plotësisht funksionale nga institucionet e vendit, duke rritur aftësitë mbrojtëse dhe nivelin e sigurisë.
“Kosova, duke përdorur burimet e veta të mbrojtjes, do t’i bëjë këto automjete plotësisht funksionale, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rritjen e sigurisë për të dyja kombet tona. Më të sigurt dhe më të fortë”, shkroi ambasada.
Në ceremoninë solemne të pranim-dorëzimit morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, atasheu i ushtrisë amerikane në Kosovë nënkolonel Jonathan Shaë, si dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Maqedonci vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit, duke theksuar se pa Shtetet e Bashkuara transformimi i FSK-së në një forcë profesionale dhe moderne nuk do të ishte i mundur.
“Avancimi për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm,” tha ai.
Ky donacion shihet si një tjetër dëshmi e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.