Ter Stegen bllokon transferimet te Barcelona – refuzon të dorëzojë raportin mjekësor

Portieri gjerman, Andre Ter Stegen, është bërë një pengesë serioze për merkaton e verës te Barcelona, në një kohë kur klubi po zhvillon turneun veror në Azi.
Sipas “Mundo Deportivo”, Ter Stegen ka refuzuar të nënshkruajë autorizimin për dorëzimin e të dhënave mjekësore lidhur me operimin në shpinë që e kreu më 29 korrik. Pa këtë raport, Komisioni Mjekësor i La Ligas nuk mund të verifikojë gjendjen e tij shëndetësore, çka ndikon drejtpërdrejt në lëvizjet e klubit në tregun e transferimeve.
Mosnënshkrimi i raportit është veprim ligjërisht i lejuar, por mund të sjellë pasoja financiare për “Blaugranat”, pasi klubi nuk mund të justifikojë mjaftueshëm zëvendësimin e tij.
Vetë Ter Stegen ka deklaruar se do t’i nevojiten tre muaj për t’u rikuperuar, por drejtuesit e klubit besojnë se procesi i rikthimit do të zgjasë pesë muaj. Në këtë rast, Barcelona kishte planifikuar transferimin e portierit të Espanyolit, Joan Garcia, por situata e paqartë po e ndërlikon këtë lëvizje.
Mungesa e bashkëpunimit nga ana e portierit gjerman mund të çojë edhe në masa disiplinore apo ligjore, pasi kontrata e tij me klubin përfshin detyrime specifike që lidhen me raportimin e gjendjes mjekësore.