Gjendet trupi i Enver Bajraktarit në fshatin Baicë, Policia nis hetimet

Në një ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik, trupi i pajetë i Enver Bajraktarit është gjetur i varrosur në një arë misri në fshatin Baicë të Lipjanit, të hënën më 4 gusht.
Bajraktari ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët një ditë më parë. Pas kërkimeve, trupi i tij u gjet rreth orës 12:05, ndërsa autoritetet njoftojnë se bëhet fjalë për një mashkull rreth moshës 50-60 vjeç, me trup të freskët sipas ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti po trajtohet si “vrasje e rëndë” dhe se hetimet janë duke vazhduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësia për zhvarrim, të cilët kanë nxjerrë trupin e pajetë për ekzaminime të mëtejshme.
Në lidhje me këtë rast, janë intervistuar katër dëshmitarë meshkuj, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje të tjera rreth motivit apo të dyshuarve të mundshëm.
Hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.