Sport

Real Madridi planifikon ofertë të bujshme për Rodrin – Camavinga dhe Rodrygo në pazar për mesfushorin e ëndrrave

Real Madridi nuk ka hapësirë për të realizuar transferime të reja këtë verë, por situata mund të ndryshojë nëse largohet të paktën një lojtar nga skuadra e parë. Sipas raportimeve nga “CaughtOffside”, “Los Blancos” synojnë të “vrasin dy zogj me një gur”, duke përfshirë dy yje aktualë në një marrëveshje të bujshme për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri Hernández.

Nevoja për një mesfushor të nivelit më të lartë është bërë evidente që nga pensionimi i Toni Kroos në vitin 2024. Probleme të theksuara në këtë repart u vunë re gjatë sezonit të kaluar dhe dolën në pah sërish në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, ku madrilenët u mposhtën 4-0 nga Paris Saint-Germain.

Rodri, i cili ka kaluar një dëmtim serioz në ligamentin e gjurit (ACL) në shtatorin e kaluar, u rikthye në fushë gjatë Kupës së Botës për Klube dhe u vëzhgua nga afër nga skautët e Real Madridit. 29-vjeçari shihet si zëvendësuesi ideal i Kroos dhe objektivi kryesor i merkatos verore për klubin spanjoll.

Për të realizuar transferimin, Real Madridi është i gatshëm të ofrojë Eduardo Camavinga dhe Rodrygo Goes, plus 40 milionë euro në dorë, në një paketë që synon të bindë Manchester Cityn. Klubi madrilen e sheh këtë marrëveshje si të realizueshme, duke qenë se Rodri ka më pak se dy vite të mbetura në kontratën e tij aktuale.

Megjithatë, kampionët e Premier League nuk janë të gatshëm të shqyrtojnë asnjë ofertë për mesfushorin spanjoll gjatë kësaj vere. Në rast se marrëveshja dështon këtë sezon, Real Madridi do të rikthehet në verën e ardhshme me një përpjekje të re.

Nëse Rodri nuk rinovon kontratën me Manchester Cityn në 12 muajt e ardhshëm, ai pritet të jetë i disponueshëm për një çmim prej 60-80 milionë eurosh në verën e vitit 2026, kur do t’i ketë mbetur më pak se një vit kontratë me klubin anglez.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button