Kosova

Limaj: NISMA nuk pranon zgjidhje të pjesshme, kërkon shumicë për Kuvend dhe Qeveri

Kreu i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar sot pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit se partia e tij nuk mbështet zgjidhje të pjesshme për krizën institucionale në vend. Ai theksoi se kërkohet një shumicë e qartë që mund të konstituojë Kuvendin dhe të krijojë Qeverinë e re.

“NISMA nuk beson në zgjidhje parciale. Ne duam një shumicë qeverisëse, që e konstituon edhe Kuvendin dhe e krijon Qeverinë. NISMA nuk është kontribuuese për zgjidhje gjysmake që pastaj të shkaktojnë zgjedhje,” tha Limaj para mediave.

Ai paralajmëroi se një zgjidhje e kufizuar vetëm në konstituimin e Kuvendit, pa pasur siguri për krijimin e Qeverisë, mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Nëse shkohet në zgjidhje vetëm për Kuvendin, pa e pasur një shumicë, mund të shkaktohen zgjedhje të parakohshme,” theksoi ai.

Deklaratat e Limajt vijnë në kohën kur po vazhdojnë bisedimet mes tij dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.

Kurti, nga ana tjetër, ka insistuar se i ka votat për të formuar Qeverinë dhe ka kërkuar që partitë ish-opozitare të votojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, si hap i parë në këtë proces.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button