Krasniqi: Limaj nuk do të jetë kurrë kryetar Kuvendi – marrëveshja me VV-në, peng i “apetiteve pushtetore”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka hedhur poshtë mundësinë që kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, në kuadër të negociatave për formimin e institucioneve të reja me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një deklaratë për media, Krasniqi u shpreh i bindur se Limaj nuk do të propozohet për këtë post nga Albin Kurti, madje duke zbuluar se këtë qëndrim ia ka bërë të ditur edhe vetë Limajt.
“E para, unë nuk besoj kurrë që do të jetë kandidat, sepse – një gjë të tillë ia kam thënë edhe atij personalisht – nuk e emëron, nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Kështu që për këtë temë besoj që s’kemi me pasë as arsye me e diskutu, përveç në mënyrë hipotetike”, tha ai.
Kreu i PDK-së gjithashtu kritikoi mungesën e transparencës në bisedimet mes VV-së dhe Nismës, duke e parë këtë si një tregues të qartë të ngecjes së negociatave. Sipas tij, përplasjet nuk lidhen me përmbajtje programore, por me interesa personale për pushtet.
“Mungesa e transparencës nga të dyja palët është një shenjë që diçka s’është në rregull. Besoj që ka të bëjë me apetitet pushtetore, se nuk ma merr mendja që janë duke e negociuar programin qeverisës se sa duhet rritur pagat e sa pensionet”, theksoi ai.
Ndërkohë, vetë Limaj ka rikujtuar se edhe në rast të një marrëveshjeje eventuale mes Nismës dhe Vetëvendosjes, kjo nuk do të mjaftojë për të arritur shumicën e nevojshme prej 61 votash për formimin e institucioneve.
Deklaratat e Krasniqit vijnë në një moment të tensionuar për skenën politike në Kosovë, ku bllokada institucionale po zgjat për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e udhëheqësisë së tij.