Lajme

Rama në Berat: E ardhmja është Inteligjenca Artificiale – edhe ministrat mund të zëvendësohen

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve në qytetin e Beratit, ka folur për të ardhmen digjitale të Shqipërisë, duke vënë theksin te siguria kibernetike, inteligjenca artificiale dhe kontrolli i territorit nëpërmjet teknologjisë.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se vendi është tashmë i pajisur me mjete moderne survejimi si dronët dhe satelitët, por theksoi se ajo që mungon është një sistem informacioni që të përpunojë të dhënat në kohë reale.

“Ne kemi dronët, që i kemi marrë për të kontrolluar vendin tonë, kemi edhe satelitët. Ajo që na mungon është një sistem informacioni që të përpunohet në kohë reale. Nuk ka nevojë për inspektor në territor. Me atë sistem mund të marrim në kohë reale të dhënat dhe me IA të sjell 1, 2, 3, 4…”, tha kryeministri.

Rama foli edhe për mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën publike dhe shprehu bindjen se në të ardhmen e afërt edhe funksione të nivelit të lartë mund të automatizohen.

“Shumë shpejt mund të vijë dita që qeverinë mund ta kesh IA, ministrin mund ta kesh IA. S’ka më kushërinj për të futur në punë. Nuk mund të them që ky është synimi ynë, por është e pafundme kjo botë,” u shpreh ai.

Sipas tij, teknologjia do të bëjë të mundur kontrollin në detaje të territorit të vendit, duke dhënë shembuj konkretë të aplikimeve praktike të sistemeve inteligjente.

“Mund të kemi sisteme që të tregojnë për territorin, sa karrige të vë jashtë ose ku mund të parkoj,” shtoi Rama.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Shqipëria po synon të përshpejtojë procesin e digjitalizimit të administratës publike dhe të modernizojë sistemet e monitorimit dhe kontrollit të territorit nëpërmjet teknologjive të avancuara.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button