Brezovica pret me adrenalinë garën e katërt malore të kampionatit vendor

Këtë fundjavë, në shtegun e njohur të Brezovicës, do të zhvillohet gara e katërt në disiplinën malore të kampionatit vendor, pas etapave në Grashticë, Kullë dhe Krujë. Brezovica veçohet nga të tjerat pasi është gara e vetme ku zhvillohet vetëm një vozitje, për shkak të gjatësisë së shtegut prej 7.7 kilometrash.
Interesimi për këtë garë është gjithmonë i lartë, dhe këtë vit ajo fiton edhe më shumë rëndësi, duke qenë pjesë e kalendarit të FIA CEZ, që sjell garues edhe nga jashtë vendit. Ndër ta është fituesi i vitit të kaluar, Laszlo Szasz, si dhe Gentjan Shaqiri nga Shqipëria, i cili edicionin e kaluar u rendit i dyti. Në mesin e favoritëve për podium është edhe Gazmend Demolli, që vitin e kaluar zuri vendin e tretë.
Përveç tyre, shumë garues vendorë pritet të japin maksimumin për një rezultat të mirë si në kampionatin vendor, ashtu edhe në rang ndërkombëtar.
Organizimi i garës është marrë me përkushtim nga AK Ferizaj, që ka bërë përgatitje të detajuara për të garantuar një ngjarje të suksesshme dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.
Për shkak të garës, të shtunën dhe të dielën do të ketë mbyllje të përkohshme të rrugës për veturat civile në zonën e garës, për çka organizatorët kërkojnë mirëkuptim dhe premtojnë që pritjet të jenë sa më të shkurtra.
Paraqitja e garuesve do të bëhet të shtunën nga ora 09:00 deri në 11:00, e më pas vazhdohet me procedurat teknike, ndërsa hapja zyrtare e garës do të zhvillohet të dielën në ora 11:45.