
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar se nuk ka kompetenca kushtetuese për të çuar vendin në zgjedhje në situatën aktuale politike. Në një konferencë për media të enjten, pas kthimit nga vizitat zyrtare në SHBA dhe Evropë, Osmani ka adresuar deklaratat e saj lidhur me ish-presidentin amerikan Donald Trump si dhe bllokadën institucionale që po përjeton vendi.
E pyetur për mungesën e institucioneve të reja që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Osmani ka theksuar se, si presidente, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në negociatat për formimin e koalicioneve. “Nuk është roli i asnjë presidenti të negociojë për koalicione”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se për ta çuar vendin në zgjedhje duhet të plotësohen kushtet ligjore, si shpërbërja e Kuvendit ose dështimi për të formuar Qeverinë brenda afatit të caktuar. “Dua ta qartësoj që Kushtetuta nuk më lejon që në këtë fazë Presidentja ta shpërndajë Kuvendin dhe ta çojë vendin në zgjedhje. Duhet të plotësohen disa kritere ligjore që akoma s’janë plotësuar”, tha Osmani.
Presidentja përmendi edhe afatin 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e institucioneve, duke nënvizuar se ky afat duhet të ketë pasoja juridike.
Ndërkohë, Osmani nuk ka pranuar të komentojë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme që lidhet me mbajtjen e dy funksioneve nga Albin Kurti dhe disa ministra që janë zgjedhur edhe deputetë.