Leverkusen vendos për Xhakën: “E duam me çdo kusht në ekip”

Drejtori sportiv i Bayer Leverkusen, Simon Rolfes, ka konfirmuar se klubi gjerman dëshiron ta mbajë mesfushorin Granit Xhaka edhe për sezonin e ri, pavarësisht interesimit nga klube të tjera.
Kapiteni 32-vjeçar i Zvicrës është lidhur së fundmi me transferim të mundshëm, me interes nga Arabia Saudite, Sunderlandi i sapongjitur në Premierligë dhe Fenerbahçe e José Mourinhos. Megjithatë, drejtuesit e Leverkusenit e kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend ta lënë të largohet lehtë.
“Granit është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne – për skuadrën dhe për klubin. Interesi ynë kryesor është ta mbajmë,” deklaroi Rolfes në një konferencë për shtyp në Rio de Janeiro, ku skuadra po zhvillon një kamp stërvitor.
Ai shtoi se Leverkusen ka ende tre vite kontratë me Xhakën dhe është shumë i kënaqur me kontributin e tij. “Kemi objektiva të mëdha për vitet në vijim. Prandaj, një transferim mund të ndodhë vetëm nëse është në të mirë të të gjitha palëve. Vetëm një situatë ‘fitim-fitim’ do të merret parasysh,” theksoi ai.
Xhaka, që ishte njëri nga liderët kryesorë të skuadrës sezonin e kaluar, deri tani nuk është deklaruar publikisht për të ardhmen e tij. Megjithatë, mbështetja publike nga drejtuesit e klubit tregon qartë se Leverkusen e sheh si pjesë kyçe të projekteve të së ardhmes.