Sport

Zyrtare: Stefano Pioli rikthehet te Fiorentina, firmos deri në vitin 2028

Stefano Pioli është zyrtarizuar si trajneri i ri i Fiorentinës, duke u rikthyer për herë të dytë në stolin e ekipit vjollcë. Pas një sezoni në Arabinë Saudite me Al-Nassr, ku punoi nën hijen e Cristiano Ronaldos, 59-vjeçari kthehet në Serie A për të udhëhequr projektin e ri të klubit nga Firence.

Pioli ka firmosur një kontratë trevjeçare, që do ta mbajë në krye të skuadrës toskane deri në verën e vitit 2028. Rikthimi i tij në “Artemio Franchi” shënon një fazë të re për Fiorentinën, e cila pas një sezoni të pasigurt me Raffaele Palladinon në stol, synon stabilitet dhe suksese më të mëdha në elitën e futbollit italian.

Presidenti Rocco Commisso e mirëpriti me entuziazëm emërimin e Piolit:
“Jam shumë i lumtur për ardhjen e Stefano Piolit në krye të ekipit të parë të Fiorentinës. Që nga fjalët e para që ndamë, pashë te ai vlera të forta dhe dëshirë për të luftuar për këtë klub dhe qytet që e njeh shumë mirë,” deklaroi Commisso në faqen zyrtare të klubit.

Pioli, fitues i Scudetto-s me Milanin në sezonin 2021-22, ka drejtuar më parë Fiorentinën në periudhën 2017–2019, përpara se të kalonte një fazë të suksesshme te kuqezinjtë. Pas largimit nga “San Siro”, ai provoi një aventurë të shkurtër në Ligën Saudite me Al-Nassr, përpara se të vendoste të rikthehej në Itali.

Rikthimi i tij vjen në një verë të trazuar për Serie A, ku 6 nga 10 skuadrat më të mira të sezonit 2024–25 kanë ndërruar trajnerë, përfshirë Interin, Atalantën, Romën, Lazion dhe vetë Milanin.

Fiorentina e nis kështu një epokë të re me Piolin, duke shpresuar se përvoja dhe njohja e mirë e ambientit do të sjellin qëndrueshmëri dhe rezultate të rëndësishme në vitet në vijim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button