Kosova

Osmani në SHBA: “Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar” – Hoti e akuzon për hipokrizi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një fjalimi në Institutin Hudson në Shtetet e Bashkuara, deklaroi se Marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë është zbatuar dhe shprehu shpresë që administrata amerikane e atëhershme të shkojë përtej kësaj marrëveshjeje për të arritur paqe afatgjatë në rajon.

“Epo, Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por aty ku shoh më shumë potencial është të shkosh përtej saj. Administrata Trump është vepruese dhe i kryen gjërat, ndaj mendoj se ka mundësi për të bërë hapa të mëdhenj, që kontribuojnë në paqen e qëndrueshme në Ballkan,” tha Osmani.

Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili gjatë qeverisjes së tij nënshkroi këtë marrëveshje. Hoti e akuzoi Osmanin për hipokrizi, duke kujtuar se ajo më parë e kishte konsideruar Marrëveshjen e Uashingtonit si një cenim të rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezik për shtetin.

“Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës! Kur kjo marrëveshje u nënshkrua, Osmani e quante cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin. Sot, pas 5 vitesh, e quan marrëveshje të mirë dhe madje pretendon se e kemi zbatuar,” shkroi Hoti në një postim në rrjetet sociale.

Ai po ashtu akuzoi presidenten dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen, por e kanë luftuar atë dhe tani përpiqen ta përvetësojnë politikisht në një kohë kur ndryshojnë rrethanat në SHBA.

“Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhen më të rëndësishme se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme. Ky është kulmi i mashtrimit politik,” tha Hoti.

Ndërkaq, në vitin 2021, Osmani pati deklaruar se një pjesë e marrëveshjes kishte cenuar rendin kushtetues të Kosovës dhe kishte dëmtuar interesat strategjike të vendit.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button