Azbesti në zemër të Prishtinës: Qindra mijëra metra katrorë çati dhe dhjetëra kilometra gypa me material kancerogjen

Prej më shumë se pesë dekadash, një pjesë e madhe e ndërtesave në qendër të Prishtinës mbeten të mbuluara me çati që përmbajnë azbest – një material ndërtimor i njohur për rrezikun që paraqet për shëndetin e njeriut.
Përkundër ndalimit të përdorimit të tij në shumë shtete të botës për shkak të efekteve kancerogjene, në Kosovë azbesti vazhdon të jetë i pranishëm në mënyrë shqetësuese. Ai gjendet ende në infrastrukturë, përfshirë në çatitë e objekteve private dhe publike, por edhe në sistemet e furnizimit me ujë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në Prishtinë janë mbi 230 mijë metra katrorë çati që përmbajnë azbest, ndërsa rreth 70 kilometra të gypave të ujësjellësit janë të ndërtuar me këtë material të rrezikshëm.
Azbesti është i lidhur ngushtë me sëmundje të rënda si kanceri i mushkërive, azbestoza dhe mezotelioma. Ekspozimi i zgjatur ndaj fibrave të tij përbën rrezik serioz, sidomos për banorët dhe punëtorët që frekuentojnë objektet ku ky material është i pranishëm.
Përkundër rrezikut të dokumentuar, deri më tani nuk ka një plan gjithëpërfshirës nga institucionet për identifikimin dhe eliminimin e azbestit nga ndërtesat publike dhe rrjetet e ujësjellësit.
Ekspertët e shëndetit publik dhe mjedisit kërkojnë që çështja të trajtohet me prioritet, për të parandaluar pasojat afatgjata në shëndetin e qytetarëve dhe për të harmonizuar praktikat ndërtimore me standardet evropiane të sigurisë.