Theth: Rinisin prishjet e ndërtimeve pa leje, operacioni vijon i qetë pas tensioneve të një dite më parë

Në Parkun Kombëtar të Thethit ka rinisur mëngjesin e sotëm operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Në ndryshim nga dita e djeshme, aksioni po zhvillohet në mënyrë më të qetë, nën mbështetjen e forcave të policisë.
Ndërtesat që po shemben janë nga një deri në tre kate, ndërsa banorëve u është dhënë afat për të larguar strukturat prej druri përpara ndërhyrjes. Në total, pritet që në këtë fazë të prishen rreth 60 deri në 70 objekte pa leje, të ndërtuara brenda kufijve të parkut kombëtar.
Operacioni vjen një ditë pas tensioneve që u shënuan në zonë, kur persona ende të paidentifikuar hodhën mjete të ndezshme (molotov) ndaj forcave të IKMT-së, duke rritur shqetësimet për sigurinë e trupave në terren. Pavarësisht këtij incidenti, autoritetet kanë vijuar me vendosmëri aksionin për rivendosjen e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e mjedisit në një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë.