Asllani refuzon Betisin, e ardhmja e tij mbetet e paqartë – Mbledhje në Inter për planet e merkatos

Zërat e merkatos rreth Kristjan Asllanit po shtohen çdo ditë, por pavarësisht interesimit të disa klubeve europiane, mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.
Së fundmi, mediat spanjolle raportuan se klubi i Betisit në La Liga kishte shfaqur interes konkret për futbollistin, duke ofruar 10 milionë euro për kartonin e tij. Megjithatë, Interi nuk është i gatshëm ta lërë të lirë për më pak se 18-20 milionë euro.
Por ndërsa lajmi mori dhenë në Spanjë, në Itali situata është interpretuar ndryshe. Sipas “Sky Sport”, vetë Asllani nuk është i interesuar për kalimin te Betisi, pavarësisht negociatave të mundshme mes klubeve. Madje burimet pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai nuk është në dijeni për bisedime konkrete me skuadrën spanjolle, duke hedhur poshtë çdo gjurmë zyrtare të një transferimi të mundshëm në këtë drejtim.
Ndërkohë, në kampin zikaltër po punohet intensivisht për të qartësuar të ardhmen e lojtarëve. Pasditen e sotme, trajneri Christian Chivu zhvilloi një takim me drejtuesit e merkatos së Interit – drejtori sportiv Piero Ausilio dhe zëvendësi i tij Baçi. Mbledhja zgjati rreth dy orë e gjysmë dhe u diskutuan alternativat për formësimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
E ardhmja e Asllanit mbetet një çështje për t’u zgjidhur, ndërsa Interi pritet të vendosë përfundimisht mbi fatin e tij në ditët në vijim.