“Një homazh i thellë për Diogo Jotan – Fanella me numrin 20 vendosur në vendin e aksidentit tragjik”

Një skenë prekëse ka prekur zemrat e mijëra ndjekësve në rrjetet sociale, ku fanella me numrin 20 e Diogo Jotës është vendosur në vendin ku ai dhe vëllai i tij humbën jetën në një aksident tragjik automobilistik në Spanjë.
Gjesti prekës është bërë publik nga bashkëlojtar i tij në Liverpool, Kostas Tsimikas, i cili ndau një fotografi të fanellës së kuqe të Jotës, të vendosur buzë rrugës ku ndodhi fatkeqësia. Me këtë veprim, Tsimikas ka dashur të shprehë dhimbjen dhe respektin për humbjen e mikut të tij, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm solidariteti dhe dashurie.
Fanella e vendosur në atë vend simbolik është kthyer në një kujtim të gjallë për yllin portugez të Liverpoolit, që ishte i dashur jo vetëm për tifozët, por edhe për shokët e skuadrës dhe të gjithë komunitetin sportiv ndërkombëtar.
Imazhi është bërë viral, duke ngjallur emocione dhe mesazhe ngushëllimi nga tifozët dhe figurat e njohura të sportit. Homazhi i Tsimikas thekson jo vetëm dhimbjen për humbjen e parakohshme të Jotës, por edhe trashëgiminë e tij si futbollist i madh dhe njeri me zemër të madhe.