Kosova

LDK dorëzon lëndë në Kushtetuese: Kërkon interpretim shterues për seancën e 29 qershorit

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dorëzuar sot një lëndë të re në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar një interpretim shterues të të gjitha normave kushtetuese që lidhen me rregulloren e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive të datës 29 qershor 2025.

Deputeti Shkëmb Manaj, bashkë me kolegët Hykmete Bajrami dhe Armend Zemaj, ka deklaruar se vazhdimi i asaj seance është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimin e mëhershëm të Kushtetueses. Ai theksoi se rregullorja e punës së Kuvendit e përcakton qartë rendin e ditës, i cili sipas tij, nuk mund të ndryshohet gjatë vazhdimit të seancave konstituive.

“E ftojmë Kryesuesin e Kuvendit dhe VV-në që t’i kthehen kushtetutshmërisë”, tha Manaj për media, duke shtuar se nuk kanë kërkuar masë të përkohshme, por presin trajtim të shpejtë të lëndës nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, është e nevojshme që Gjykata të përcaktojë me dispozitiv se është shkelur Kushtetuta nga kryesuesi i seancës edhe pas aktgjykimit ekzistues, dhe të urdhërojë që të procedohet me rendin e ditës të caktuar që nga 15 prilli 2025.

“Gjykata Kushtetuese tashmë e ka më të lehtë”, u shpreh ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button