Rama paralajmëron ndërtuesit: Mjaft më me uzurpimin e pronës publike, do ketë gjoba e ndjekje penale

Kryeministri Edi Rama ka dalë me një paralajmërim të fortë ndaj ndërtuesve dhe zhvilluesve urbanë, të cilët, sipas tij, kanë keqinterpretuar ndarjen midis pronës private dhe asaj publike, duke e trajtuar hapësirën përreth godinave si pronë personale.
Gjatë një komunikimi live në Facebook, Rama u shpreh se prona publike që ndodhet përreth pallateve nuk mund të privatizohet nga ndërtuesit apo nga individë me lokale përreth. “Ajo është po aq pronë private sa ç’është shkalla e pallatit, që u përket minimalisht banorëve në atë pallat. Askush nuk ka më shumë të drejtë se çdo banor aty”, deklaroi ai.
Kryeministri theksoi se nuk do të tolerohen më rastet ku vendosen trarë për parkime apo kur hapësirat publike kthehen në biznese private nga persona të caktuar. “Kushdo që zapton dhe shkatërron pronën publike do të përballet me gjoba dhe deri në ndjekje penale”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se brenda javës pritet të nisë inventarizimi i hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme në qytetet kryesore si Tirana, Vlora dhe Durrësi, ndërsa kërkoi që çdo akt uzurpimi të marrë fund. “Duhet të nisin të mbledhin plaçkat, se boll është boll”, tha ai.
Rama paralajmëroi gjithashtu inspektorët e bashkive dhe strukturat e IMT-së që të mos vonojnë me veprimet, përndryshe do të përballen me pasoja ligjore. “Nëse inspektorët nuk reagojnë, do befasohen me faktet dhe do përgjigjen”, theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, me një notë ironie, Rama tha: “Faleminderit për mesazhet, por kur vjen prefiksi i gjashtë s’është më nevoja për festa ditëlindjeje”, duke nënkuptuar një qasje më të vendosur e direkte ndaj problematikave që lidhen me interesin publik.
Ky paralajmërim vjen në kuadër të një fushate të re qeveritare për mbrojtjen e hapësirave publike dhe rritjen e përgjegjësisë ligjore për përdorimin e tyre.