Kosova

Kurti uron SHBA-në për Ditën e Pavarësisë: “Krenarë për partneritetin dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm”

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar presidentin amerikan Donald Trump dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.

Përmes një mesazhi publik, Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për miqësinë dhe partneritetin mes Kosovës dhe SHBA-së, duke veçuar bashkëpunimin në fusha të rëndësishme si zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), mbështetja për Ukrainën dhe strehimi i refugjatëve afganë.

“Jemi mirënjohës për miqësinë dhe krenarë për bashkëpunimin e partneritetin ndërmjet Republikës sonë dhe ShBA-ve në mbrojtjen e po atyre idealeve. Zhvillimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus dhe strehimi i refugjatëve afganë dhe qytetarëve të vendeve të tjera në territorin e Kosovës, janë vetëm disa nga fushat në të cilat bashkërendimi i prioriteteve tona ka shënuar, dhe vazhdon të shënojë, progres të jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë”, ka deklaruar Kurti.

Ai e ka përmbyllur urimin duke theksuar se vlerat e përbashkëta ndërmjet dy vendeve vazhdojnë të forcojnë lidhjet strategjike dhe miqësore që ekzistojnë prej dekadash.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button