Zjarre shkatërruese përfshijnë Turqinë

Zjarrfikësit turq po vazhdojnë përpjekjet për të shuar disa vatra zjarri që kanë përfshirë rajonin perëndimor të vendit, përfshirë kodrat me pyje në provincën bregdetare të Egjeut. Zjarret shpërthyen të premten në të paktën pesë zona të ndryshme, duke shkaktuar një situatë alarmante për autoritetet dhe banorët lokalë.
Sipas autoriteteve, flakët kanë shkaktuar vdekjen e dy personave – një punonjësi pyjor dhe një 81-vjeçari, i cili humbi jetën si pasojë e thithjes së tymit. Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa rreth 200 banesa janë dëmtuar rëndë.
Ministri i Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, bëri të ditur se përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin në qytetin Odemis po vazhdojnë për të tretën ditë me radhë. “Lufta jonë intensive nga ajri dhe toka për të kontrolluar zjarret në Odemis dhe Buca vazhdon,” deklaroi ai në platformën X.
Ndërkohë, një vatër tjetër zjarri shpërtheu të enjten mbrëma pranë rrethit të Bucës, ku ekipet emergjente po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve. Zjarri në Çesme, një destinacion i njohur turistik, është vënë nën kontroll, por paraprakisht shkaktoi evakuimin e tri lagjeve dhe mbylljen e përkohshme të disa rrugëve.
Shkaktarët kryesorë të zjarreve besohet të jenë temperaturat e larta, erërat e fuqishme dhe lagështia e ulët. Në disa raste, zyrtarët lokalë kanë fajësuar edhe defektet në linjat elektrike, si dhe pakujdesinë e punëtorëve të ndërtimit, të cilët përdornin pajisje për prerjen e metaleve.
Ndërkohë që autoritetet ende nuk kanë dhënë një vlerësim të saktë të sipërfaqes së djegur, ekspertët po e lidhin rritjen e zjarreve sezonale me ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike, të cilat po e përkeqësojnë ndjeshëm gjendjen e mjedist në rajon.