Lajme

Dorëheqje masive në Bashkinë e Vlorës pas vizitës së Ramës – Kryeministri kritika të forta në pikun e sezonit turistik

Pas takimit të zhvilluar ditën e djeshme në qytetin e Vlorës me strukturat vendore, kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një lëvizje të fortë ndaj administratës vendore të kësaj bashkie. Të gjithë drejtorët e bashkisë kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa procesi vijon edhe sot për ata që ende nuk janë larguar zyrtarisht nga detyra.

Vendimi është rezultat i pakënaqësive të theksuara të kryeministrit për performancën e Bashkisë së Vlorës në menaxhimin e sezonit turistik. Në takimin e mbajtur me përfaqësuesit lokalë, Rama i ka kërkuar kryebashkiakut Ermal Dredha që të shkarkojë të gjithë drejtorët, duke kritikuar ashpër punën e dobët në këtë periudhë të rëndësishme për qytetin bregdetar.

Burime pranë takimit konfirmojnë se kreu i qeverisë i ka tërhequr vëmendjen personalisht kryebashkiakut Dredha për mosfunksionimin e duhur të strukturave vendore.

Ndryshimet nuk kanë kursyer as strukturat partiake të Partisë Socialiste në Vlorë. Kryeministri Rama ka emëruar si drejtues të rinj politikë të PS-së në këtë qytet Klevis Kason dhe Eriona Ismailin.

Kjo lëvizje vjen në kuadër të një turi takimesh që kryeministri ka ndërmarrë në të gjithë vendin, pas 34-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Pak ditë më parë, ai zhvilloi një mbledhje në Cërrik me drejtues të qarkut të Elbasanit, ku shprehu pakënaqësi për mungesën e vëmendjes ndaj zonave rurale.

Vizita në Vlorë u zhvillua në prani të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, dhe duket se shënon fillimin e një faze të re ristrukturimi në administratën vendore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button