FSHF rrit me 30% mbështetjen financiare për klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar një rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare për klubet e futbollit profesionist në vend, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë dhe menaxhimit të futbollit shqiptar.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se të ardhurat nga komercializimi do të rriten me 30%, ndërsa në vitin 2026 do të shpërndahen plot 3 milionë euro për klubet e “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.
“Mbështetja financiare do të jetë direkte për klubet dhe synon përmirësimin e funksionimit të tyre”, – u shpreh Duka.
Sipas FSHF-së, fondet do të ndahen gjatë periudhës ndërmjet dy asambleve dhe do të shërbejnë për rritjen e standardeve të menaxhimit, forcimin e konkurrueshmërisë së garës dhe krijimin e kushteve më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike.
Ky vendim pritet të japë një shtysë të re për zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe të ndihmojë klubet në përballimin e sfidave financiare dhe organizative.