5 Maji – Dita e Dëshmorëve të Kombit, nderim për ata që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve

Sot, më 5 Maj, në mbarë vendin përkujtohet Dita e Dëshmorëve të Kombit, një ditë për nder të atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, demokracinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Kjo ditë lidhet me 5 Majin e vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa – një nga figurat më emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare – i cili u kthye në simbol të saj.
Në nderim të kujtimit të të rënëve, çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, krerët më të lartë të shtetit zhvillojnë homazhe, duke përulur para sakrificës së dëshmorëve që kontribuuan për lirinë e vendit. Tradita e kujtimit të dëshmorëve në trojet shqiptare është e lashtë dhe ka nisur që para krijimit të shtetit shqiptar, kur populli i ruante legjendat e tyre përmes këngëve epike dhe rrëfimeve brez pas brezi.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri më 1945, shteti nuk kishte një status ligjor për dëshmorët. Vetëm gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nisën përpjekjet për t’i dhënë status të veçantë atyre që ranë në fushat e betejës. Më 28 gusht 1945, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, duke njohur edhe dëshmorët e periudhave të mëhershme si të Rilindjes Kombëtare dhe luftërave për pavarësi.
Në vitet ’60, statusi i dëshmorit u përpunua dhe u zgjerua me termin “Dëshmor i Atdheut”, duke përfshirë gjithashtu ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve në çdo rreth të vendit.
Ndryshimet politike të viteve 1992-1993 sollën rishikimin e këtij statusi, ndërsa më 27 prill 2000 u miratua ligji Nr. 8607 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, që përfshin dëshmorët e të gjitha periudhave historike, përfshirë edhe ata të rënë në ngjarjet tragjike të viteve 1997-1999 dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.
5 Maji mbetet një ditë reflektimi dhe nderimi për sakrificën më të madhe – jetën e dhënë për lirinë dhe të ardhmen e një kombi.