Zvicra me deficit buxhetor prej 845 milionë CHF në vitin 2026

Këshilli Federal i Zvicrës ka prezantuar të enjten projektbuxhetin për vitin 2026, ku parashikohet një deficit prej 845 milionë frangash zvicerane (rreth 1 miliard dollarë).
Shpenzimet e shtetit do të rriten me 5%, kryesisht si pasojë e futjes së pagesës së 13-të për pensionistët dhe rritjes së buxhetit të ushtrisë. Sipas qeverisë, këto dy zëra do të mbeten barrë e qëndrueshme edhe në vitet e ardhshme.
Gjithashtu, 600 milionë CHF janë parashikuar për përballimin e kostove që lidhen me refugjatët ukrainas, ndërsa një pjesë tjetër do të shkojë për pjesëmarrjen në programet kërkimore të Bashkimit Evropian.
Deficiti i parashikuar është pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2025 dhe tre herë më i ulët se viti i kaluar. Megjithatë, sipas praktikës, llogaritë përfundimtare zakonisht rezultojnë më pozitive se parashikimet fillestare.
Qeveria paralajmëroi se tarifat e reja amerikane ndaj eksporteve nuk janë marrë parasysh në buxhet, por një rënie e kompanive eksportuese do të ndikonte drejtpërdrejt në të ardhurat nga tatimet dhe TVSH-ja.
Në këtë kuadër, Këshilli Federal po përgatit terrenin për një program të dytë kursimesh buxhetore, pasi shpenzimet federale parashikohen të rriten nga 91 miliardë CHF në vitin 2026 në rreth 98 miliardë CHF deri në vitin 2029.
Vendimin përfundimtar për buxhetin do ta marrë parlamenti zviceran, i cili do ta shqyrtojë projektin në dhjetor.